A B C D E F G H I J K L M N O P Q R S T U V W X Y Z #

Aferdita Demaku: Këngën E Mirëfilltë Shqipe E Këndoj Me Shpirt


Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  4.3 / Votuan:  7
[27-01-2012]
Bota sot":Jeni një këngëtare e adhuruar jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha trevat shqiptare e diaspor. Çfarë do të thotë kjo për ju?
Aferdita Demaku:Po është e vërtet se jam aktive në të gjitha vendet ku jetojnë e punojnë shqiptarët. Vet fakti se jam aktive, jam e adhuruar dhe e kërkuar nga shumë adhurues të mi. Kjo do të thotë shumë për mua se na jep me kuptuar se deri këtu kam punuar e kultivuar shumë këngën e mirëfilltë shqipe. Kjo më jep shumë vullnet për me vazhduar me punu dhe afruar publikut këngët e mia.
"Bota sot":Si e keni ndier veten kur keni kënduar për herë të parë më 1995 dhe a keni menduar ndonjëherë se do të jeni këtu?
Aferdita Demaku:Për herë të parë kam filluar me këndu si nxënëse e klasës së pestë në shkollën fillore. Kam marr pjesë në shumë aktivitete shkollore e më vonë në koncerte e festivale të shoqërive të ndryshme që mbaheshin atëherë. Kam pasur shumë emocione si çdo këngëtarë fillestar, por kam pasur shumë dëshirë e përkrahje nga familja dhe i kam tejkaluar të gjitha dhe duke iu falënderuar Zotit dhe të gjithë atyre që më kanë përkrahur. Sot jam këtu dhe jam shumë e kënaqur, kur dihet se për këtë karrier mbi 15 vjeçare kam arritur shumë.
"Bota sot":Kush ishte inspirimi juaj kryesor, që ju shtyri të bëheni këngëtare?
Aferdita Demaku: Dëshira ka qenë e imja si fëmijë për të kënduar e emituar shumë këngëtarë. Për herë të parë talentin tim e zbuloi mësuesi im e vëllai dhe pastaj u inkuadrova në Shoqërinë e fshatit "Xhemail Obria", në Shoqërinë "Shote Galica" në Drenas e pastaj në ShKA "Qëllimi" në Prizren. Më 1995 realizova albumin e parë "Larg atdheut" dhe nuk jam ndalur duke punuar deri sot, ku kam realizuar 12 albume, shumë këngë e potpuri edhe me këngëtarë.
"Bota sot": Ju këndoni më shumë këngë popullore, pse jeni përcaktuar vetëm për këtë zhanër?
Aferdita Demaku:Arsyeja pse unë e dua dhe këndoj më së shumti këngën popullore është se më përshtatet më shumë edhe kam trashëgimi nga babai. Fillimisht kam nisur me këngë folklorike burimore shqipe ku kam vazhduar me këtë zhanër të muzikës popullore, por kam çef me ec me kohën. Tash këndoj shumë këngë popullore moderne, disa të lehta (balada), por kur këndoj llajf këndoj edhe zhanre tjera kuptohet kërkesat e adhuruesve.
"Bota sot": E dim se në karrierën tënde ke shumë hite, por atë më të dëgjuar ta kanë vjedh, çka mendoni rreth vjedhjeve të këngëve që po bëhen nga këngëtarët e kompozitorët?
Aferdita Demaku: Po është e vërtetë se kam sjell shumë hite deri më tash, por këngën më të pëlqyer e dëgjuar që mendoj që ju e keni fjalën është "Dua ti them", të cilën e kam realizuar më 2004. Nuk po them se mu ka vjedhur, por mu ka marr pa kurrfarë të drejte nga këngëtari i njohur Nysret Muqiqi. Arsyeja pse them pa kurrfarë të drejte, është se e ka marr vetëm tre muaj pas editimit. Kuptohet të gjithë po këndojnë këngët e njëri tjetrit, por jo ende pa e edituar si duhet. Edhe nëse e merr me këndu një këngë të një kolegu për ndonjë potpuri ose siç po e quajmë këngë për dasma apo llajf, duhet me qenë kënga shumë e vjetër dhe mos mi bërë dëmë kolegut. Mirë është mos me marr hiq, por besojmë se tash në shtetin tonë do të aprovohet Ligji për të Drejtat e Autorit dhe këto parregullsi të rregullohen.
"Bota sot":Cilët janë bashkëpunëtorët me të cilët ke ardh deri këtu?
Aferdita Demaku:Ata janë të shumtë, të cilët i falënderoj për përkushtimin e seriozitetin që kanë pasur ndaj punës dhe vullnetit tim. Ata janë fillimisht familja e cila më përkrah shumë, vëllai im Fadili, i cili më ka shkruar tekste, orkestruesit Adrian Kastrati, Florent Boshnjaku, Virusi, Shpejtim Gashi. Prej fillimit të karrierës më së shumti kam punuar në studion Etno Myzik te Burim Krasniqi. Nga aty kam nxjerr shumë hite. Tekstet më së shumti mi ka shkruar Bekim Bislimi, i ndjeri Rexhep Demiri, Arsim Bunjaku, Gafurr Murati. Punë të mire e shumë të suksesshme kam arritur me Agim Gashin, do ta përmendi këngën, Gëzuar Pavarësia, Gyrbetqari im, Kush po të bëhet nuse…
"Bota sot":Çfarë mund të presin adhuruesit tuaj?
Aferdita Demaku:Kam nxjerr në treg një këngë të re të punuar te Florent Boshnjaku dhe klipin e kësaj kënge "Afër teje". Tash kam nis punën për albumin e ri në bashkëpunim me produksionin Eurolindi, të cilin do ta editoj në qershor. Në këtë album do të kem të gjitha këngët e reja dhe besoj se edhe kësaj here nuk do ti zhgënjej adhuruesit, ndërsa për temat do ti lë enigmë deri në editim.
"Bota sot":Keni realizuar deri tash edhe klipe, janë prodhime vendëse apo të jashtme?
Aferdita Demaku:Kam gjithsejtë 8 vido-klipe, ku të gjitha janë prodhime vendëse dhe jam shumë e kënaqur më bashkëpunëtorët Art Fabe, Pasha DW, Video Art, Tv Syri e Oliveintermedia.
"Bota sot":Çka i karakterizon këngët e juaja dhe çfarë ju dallon nga të tjerët?
Aferdita Demaku:Në këngët e albumet e mia karakteristik e veçantë është se ç do herë jam munduar me pas tema të veçanta, mos me pas ngjashmëri me tjerët. Me këndu me shpirt, ku besoj se ia kam arritur çdo herë qëllimit. Shumë e veçantë është se këngët e temat që këndoj nuk kanë të bëjnë me jetën time private, por janë tema që i përshtaten kohës. Në çdo album mundohem me tregu stilin tim që me vite e kam ushtruar dhe që ti këndoj të gjitha shtresave të njerëzve. Në secilin album kam dëshirë me këndu nga një këngë folklorike.
"Bota sot":Jeni një nënë çka do të thotë për ju familja dhe a mundeni të na flisni për jetën private?
Aferdita Demaku:Po jam nënë e dy fëmijëve: Shqipdonës 12 vjeç dhe Shqiprimit 10. Jetojmë në Drenicë në një familje 20 anëtarësh. Familja për mua do të thotë shumë dhe jam e lidhur me të. Kam përkrahjen e jashtëzakonshme edhe nga bashkëshorti Besnik Janova, të cilin e kam krah të djathtë në profesionin tim. E vetmja e keqe në këtë profesion është se nuk ke kohë shumë mu kënaq me fëmijët e familjen, sepse muzika donë shumë angazhime.
"Bota sot":Pos këndimit, merresh edhe me aktivitete tjera ?
Aferdita Demaku:Jo përveç këngës nuk merrem me asgjë, sepse për me mund me kryer një punë si duhet, duhet përkushtim i madh dhe nuk mbetet kohë për mu marr me punë tjera. Kohën e lirë kam dëshirë me kaluar me fëmijët, por merrem edhe nga pak me sport për me fituar kondicion.
 (botasot)

Dergoi: arsimdiber