A B C D E F G H I J K L M N O P Q R S T U V W X Y Z #

Tema: Poezi Për Dashurinë e Humbur

Zonja Lu

Një ditë dola për shëtitje, afër udhës në varreza
Pashë një zonjë me shumë habitje,

veshur krejt me rrob' të bardhë, duke i bere veri një varri.
Që t'i bësh veri një varri është punë e një të marri…

Iu afrova..

Një flori, mrekulli një bukuri…
Dorë e saja vente-vinte bën veri e bën veri…

E un' tepër i çuditur i them zonjës të më falë
dhe si gjysmë ngushëllimi pëshpërita dy- tre fjalë
Dhe iu luta të më thoshte i kujt është ky varr i ri
Varr i freskët e i njomë e përse i bën veri?

Zonja kuqet e stërkuqet, bën të thotë e nuk më thotë,
Nuk më thotë asnjë përgjigje, lutja ime vajti kot.

Rrobe e bardhë që kish veshur, më tregoi se mbante zi
Sado heshti buzë e kuqe, foli syri saj i zi!
Lem të lutem.. dhe vazhdoi përsëri e përsëri…
Dorë e saj nuk kish të lodhur:

bën veri e bën veri…

Nuk më ikej nga meraku,

po kur shoh se aty afër po ma bën me dorë nje grua
Ajo ish një plakë e varfër, më thotë:

eja e di unë, të rrefej se ç'janë ata,

atë varr e atë grua në me jep disa para!

Edhe unë more zotëri, me këto paratë e tua,

shkoj e blej nje nuskë nga prifti, të më zgjatet jeta mua
Pse në vendin ton' të dashur, me fuqirin e florinjve
Edhe jeta blihet shitet, rrofte magjia e priftërinjve!

Tash ajo që pyesni ju,

është zonjë e një poeti edhe quhet zonja Lu.
Varri është i të shoqit, ish poet i madh i vendit
që peshohej këngë e tija me dërheme të argjendit!
Bur e grua mish e thua, çift i ëmbël, çift me shije
çift o çift që ska të dytë, si dy kokërra qershije.

Një ditë burri u sëmur, dy plevite në një vend
Nje sëmundje shumë e rëndë, Zonja Lu u prish nga mendtë
Dhe i thotë burrit të saj: Nëse mbyllen sytë e tu
unë veten do ta vras
Dhe bej be që, atë çast më ke pranë e më ke pas…
Ti ma bëre shtratin tim kryefron të dashurisë
dhe unë varrin tënd do ta bëj shtratin tim te nusërisë.

-Jo, të lutem-i thotë burri, shumë të lutem mos e bëj!
-Mirë at'here, unë do mbetem gjithë jetën një e ve…
-Jo, të lutem, Luja ime, mos e bëj dhe këtë be!
-Si pra unë të duroj në më zentë kjo rrebe?
Pra të paktën do të mbyllem dhe do rreshkem disa vjet…
-Jo, të lutem Luja ime, është e shkurtër jetë e shkretë.
Vetëm prit e ki durim sa të thahet varri im.

Tash poeti ra e fjeti. Ra e fjet' për motë jete
Gjëmë e madhe që e gjeti…
Zonja Lu thërret bërtet me oi e me oi
Per atë që bënej fli, një minutë e dy vili!
Ç'më gjet mua, ç'më gjet mua
Ulurin e zeza grua, U plagos, u shkatërrua
U plagos e u gjakos me biçakun e fildishtë
Fije fije bëri floket, cope-copë i bëri mishtë.

Pas dy ditëve vjen një djalë, një djalosh një bukurosh
E i thotë zonjës Lu: Ti shëndoshë e unë shëndoshë!
Ti e unë një çift i ëmbël, çift i bukur, çift me shije
Çift, o çift që s'ka të dytë, si dy kokërra qershije.

Mirpo zonja është besnike, ka dhenë fjalën ka berë be
Sa të thahet varri burrit doemos do rrijë e ve
Meqe varri është ifreskët, është i njomë e është i ri
Që të thahet shpejt e shpejt
Zonja Lu i bën veri!

- poezi nga Ali Asllani


- Poezia u dërgua nga arsimdiber -

Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  4.8 / Votuan:  80