A B C D E F G H I J K L M N O P Q R S T U V W X Y Z #
  • A
  • Avni Azizi
  • Statuti Për Njeriun E Mirë Dhe Shoqërinë

Tema: Poezi Për Shoqerinë

Statuti Për Njeriun E Mirë Dhe Shoqërinë

Neni 1.

Kur kodrave të ditëve tingëllojnë pasojat e gjumit
Nga litari i pemës së jetës varen klithmat e lodhjeve
Të punëve të panisura dhe justifikimeve të stisura
Keq kryqëzohen rrugët ndërthuren fatet
Si një përtesë lidhen bebëzat në ujin e amullisë

Neni 2.

Kur freskia mëngjesore lodhshëm ka aguar
Dhe tërë paradites erë kafeje i ka lënë
Në vaktin e drekës apo darkës
Pësimet e ditës bëhen si enët e palara
Mbështjellë me shkumë në një enëlarëse

Neni 3.

Është dekretuar se kur gjitha ditët e javës
Marrëzisht dashurohen në ditën e diel
Me shumë vigjilencë të shtohen patrullimet
Rrugës së parkut kinemasë apo kafenesë së vjetër
Asnjë flirt të mos lejohet mes verandës dhe hijes

Neni 4.

Nga ky moment është dekretuar dhe hynë në fuqi
Shumë gjëra të vjetra të nyjëtohen me ato të kohës
Sepse të parët tanë ishin në gjendje të dinë me saktësi
Dinjitetin shkëlqyes dhe mënjanë vunë falsitetin e botës
Ata që na mësuan etikën sot të bëhen masa e mburojës

Neni 5.

Kur ambicia e thatë valohet dhe si temjan tymohet
Mërzia mund të bëhet rruga e saktë për zemërim
Ndonëse progresi është shenjë e fitoreve dhe humbjeve
E kujdestar i besueshëm koha
Ajo në gjitha dimensionet mund të deformohet

Neni 6.

Bindshëm dekretohet kur në dritaret e realitetit
E vërteta më e madhe e tij është misteri i saj
Por, kur edhe fytyrat janë mister enigmat veç duken
Dhe fryma e një vendi që harron të vërtetën e tij
Kurrë nuk mund të zgjeroj horizontet ato veç tkurren

Neni 7.

Kur urrejtja njerëzore si një djall maskohet
E forca e fjalës së blinduar qëndron e urtë si metali
Pas Auschwitz –it... Raçakut sekush vuri pikëpyetjen
A është e mundur më për të shkruar poezi
Kur si patate gjithë qelizat njerëzore pëlcitën

Paragraf

(Vëllai të mos luftoj kurrë të vëllanë - pos armikun e tij
Ai të besoj në njeri siç beson fëmija një fëmijë)

Neni 8.

Është dekretuar se njerëzit si ajri janë të lirë
Të zgjedhin nga lulet dhe librat
Cilat duhet të rrinë përherë mbi tavolinën e tij
Se dashuria është pjalm e gjeth lulebore dhe e dëshirës
Kur e vërteta shërbehet përherë para ëmbëlsirës

Paragraf

(Vetëm një gjë këtu është e ndaluar
Të duash pa dashuri)

Neni 9.

Kur hapat injorant vrasin jehonën e një argumenti
Në malin e përbuzjes, lajkat ndrydhin shpirtin
Universit kalon një mëkat shumë më i madh se ceni
I karakterizuar porsi një kometë që shuan virtytin
E në shpellën e vetmisë hijet pështirosur neveritin

Neni 10.

Me dekret të pakthyeshme është vendosur
Që termi mediokritet të hiqet nga gjithë fjalorët
Duke përfshirë edhe atë të gjuhës së sotme shqipe
Pastaj atë politik e për më tepër nëpër rrjetet sociale
Vërtet ky nocion ngado që duket është veç shëmti

Neni 11.

Kur shtrezë me stuhi ka lëmuar djersën e frikës
Shpërfaqur si një kërrusje nga shtati i një servili
Kjo pamje duket si një rreth i kalbur me përtallje
Apo degë e këputur dhe e përtokë nga stuhia
Druvarë janë patronët e ti një ashkël e madhe

Neni 12.

Lumi fsheh përherë edhe sekrete në gjoksin e tij
Për të na kujtuar çdoherë rritjen tonë
Kur secili kemi hedhur nga një hap të vogël
Në buzëqeshjen e pa rezervë të tërë shoqërisë
Ajo gjallohet avancon e çdo ditë përparon

Përfundime dhe konkluzione

Që tani dekretohen vizionet tona në plotësi
Dhe ato duhet shumëzuar me filozofinë e një breshke
Si nga kërmij e ndarë gjeometria territoriale
Për të arritur bardhësive të buta herët a vonë
Përkushtimi duhet të bëhet qendra e sistemit tonë

- poezi nga Avni Azizi


Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  5 / Votuan:  1





Kjo faqe përdor cookies vetëm për reklama dhe statistika. Kjo faqe nuk mbledh, nuk përdor dhe nuk shpërndan të dhënat tuaja. Kompanitë e palëve të treta që përdorin cookies janë: Google, Taboola dhe MGID.
Më shumë info  
teksteshqip.al © 2007 - 2018