A B C D E F G H I J K L M N O P Q R S T U V W X Y Z #

Thuthuqi

Në lagje kishim një djalë,
emrin ia thoshin Krenar.
Ky Krenari kish një huq,
thithte gishtin thuq e thuq,
ndaj e thirrën shkurt:
"Thuthuq!"

Gishti i dytë nga dora e djathtë
brenda gojës ditë e natë,
sikur qe lyer me mjaltë...
Thoshin njerëzit: "Oj-oj-oj,
goxha djalë me gisht në gojë!"

Mami, babi kishin turp,
ndaj i folën urtë e butë,
i folën dhe me të keq,
ia lyen me spec të kuq,
po thuthuqi... prapë thuthuq!

U nxeh gjyshi, e qortoi:
- S'ka Krenar me gisht në gojë!
Atë gisht që ti e thith
çuk e çuk si një çibuk,
trimat e rritin për pushkë!

Q'atë ditë u bë burrë,
nuk e thith më gishtin kurrë!

1983

- poezi nga Tasim Gjokutaj


Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  5 / Votuan:  3