A B C D E F G H I J K L M N O P Q R S T U V W X Y Z #

Kush E Hëngri Akulloren?

Na ish në pyll
një ëmbëltore,
bënte shurup
dhe akullore
me manaferra
me copa borë;
...Eh, sa të mira!...
Të gjithë që vinin,
buzët lëpinin...

Një ditë, kur dielli,
që lart nga qielli,
kish larë me rreze
fusha, bregore,
na shkon Arushi
në ëmbëltore
e na kërkon
dy akullore:
- Teta, m'i jepni
ju kësaj radhe
një kaq të vogël,
një kaaaaaaq të madhe!

- Po si i do,
more Arush,
në gotë,
a në kaush?

- Të voglën,
në kaush sa gishti,
të madhen,
në kaush sa qypi...
Të voglën vetë
do ta lëpij,
të madhen mamit do t'ja çoj
mu në shtëpi!

- Të lumtë, Arush,
të lumtë, - i thanë,
- që ke kujdes
dhe për mamanë!

Njërën akullore
ky shoku Arush
e përlau me gjithë kaush.
Akulloren tjetër,
mbushur plot me borë,
e mban fort në dorë...

Dhe nxjerr gjuhen,
buzët i lëpin
një mendim në kokë i vetëtin:
"Sikur ta lëpij
një çikë...një çikë?
S'bëhet gjë...
Është sa një qyp!..."

Përrallën e kulaçit
frap! E kujtoi,
ndaj e futi gjuhën
shpejt në gojë...

Ec e ec,
arriti në shtëpi.
"Ua, sa keq,
si të bëj tani?
Mami do vonohet,
është në punë;
hë, fëmijë, thoni,
ç'të bëj unë?

Si më thatë,
"Haje vetë"?!
Kjo s'më duket
hiç e drejtë.
E kam blerë
për mamin tim.
S'e bëj kurrë
këtë gabim.

Në livadhe,
në gëmusha,
me arinj
e me arusha,
unë sot nuk dal të luaj;
akulloren
në dritare
do të rri e do ta ruaj!..."

I mbështetur
në dritare,
kokën vënë te kaushi,
po bën roje,
s'tundet fare,
hej, se ç'roje bën Arushi!...

Një tufë rreze,
që nga qielli,
xhaxhi dielli na i nis
si dhuratë
për Arushin
në dritaren e shtëpisë.

Vijnë rrezet
tufa-tufa
në dritare, si në plazh,
ndaj Arushi,
mbylli sytë... u bë gjumash.

Xhaxhi diell,
lart në qiell,
shumë kënaqet tek shikon
që Arushi,
sylarushi,
dhe për mamin po mendon.

Ra në gjumë
e fjeti shumë
(se sa fjeti, nuk e di).
Pa na sheh
edhe në ëndërr
sikur nis e bie shi...

Ish një shi
për çudi,
si një qull i ftohtë dëbore
dhe i bardhë
e mjaltë i ëmbël,
sikur ishte... akullore.

Nëpër diell,
nëpër shi,
nis Arushi të vrapojë,
duke qeshur
ha, ha, ha!
"shiun" priste drejt në gojë.

Pastaj shokët
një nga një
nis me emra t'i thërrasë.
Po, papritur,
vjen një zë,
mu si zëri i mamasë:

- Çohu, biro,
se ty gjumi
në dritare të ka zënë...
...Mirë me buzë,
po dhe me veshë
akullore paske ngrënë?!...

- Mami, mami,
a e di
ç'të kam sjellë sot?
Të kam sjellë
një akullore,
që s'e gjen në botë!

Ç'pati mami,
përse qeshi,
kokën pse e tundi,
po Arushi,
sylarushi,
fjalët pse i humbi?

Një kaush,
sa një qyp
qenka në dritare,
porse brenda
akullore
nuk na paska fare!

Qan Arushi,
sylarushi,
qan e qan me lot.
Akulloren
kush e hëngri?
- Ah, që s'e gjen dot!

Ndonjë
tha,
kur e pa:

- Ç'gënjeshtar është ky Arush!
Ha për vete
akulloren,
gënjen mamin me kaush...

Ndërsa mami
s'merr inat,
e di ç'djalë ka,
ndaj Arushin
përqafon,
qesh e bën shaka...

Po Arushi,
sylarushi,
qan e qan me lot:
- Akulloren
kush e hëngri? -
Ah, që s'e gjen dot!

Xhaxhi dielli
që nga qielli,
buzëqesh,
na e bën me sy...
Mos di gjë
për akulloren?
Ndoshta edhe di...

1977

- poezi nga Tasim Gjokutaj


Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  5 / Votuan:  9