A B C D E F G H I J K L M N O P Q R S T U V W X Y Z #

Keci Që S'bëri Detyrat

Doli dielli, hyri hëna...
- Çohu, kecush! - i thotë nëna.
- Çohu, gjumash! - i thotë babi.
Keci s'tundet nga krevati.

Ora për shkollë afrohet,
keci nis edhe ankohet:
- O, lele, po më dhemb gishti,
më dhemb veshi,
më dhemb... bishti!

Nëna dhi, e shqetësuar,
mjeke Shytën ka njoftuar.
erdhi mjekja, djersë e tëra,
me ilaçe, me gjilpëra.

Pas vizitës, mjekja tha:
- Kec Larushi dhembje s'ka,
një sëmundje tjetër del,
me sa duket, është dembel.

U nxeh cjapi mjekërhollë:
- Shpejt, dembel nisu në shkollë!
Nisi keci prapë ankimet:
- Si të shkoj, s'kam bërë mësimet!

Ju s'e dini se ç'pësoi,
që mësimet s'i mësoi.
Unë e di, në dëshironi,
ktheni fletën ta mësoni...

Dje, si hëngri drekën,
edhe ëmbëlsirën,
na u mbyll në dhomë
të bënte detyrën.

Penën shpejt e kapi,
fletoren e hapi,
hapi Abetaren,
çeli dhe dritaren.

Ndoshta s'i mësohet
se erdhi pranvera,
pa i ikën mendja
në kodrat me ferra.

Ngaqë nuk i rrihej,
detyrën sa nisi,
i bëri dy njolla,
dy faqe i grisi...

Ja, përtej dritares,
ulur mbi një tel,
na paska qëndruar
një zog harabel.

Sa e pa, kecushit
i qeshi fytyra:
"Do vë harabelin
të më bëjë detyrat".

- Hyrë brenda,
pse rri jashtë?
Kam dëshirë
të lozim bashkë.

-Ci, ci, ci,
ti e di,
s'mund të lozim
ne tani.
Ule kokën,
lexo, shkruaj,
bëj mësimet,
pastaj luajm'!

- Harabel-o,
ci, ci, ci,
a mi bën detyrat ti?

Harabeli
u zemërua:
- S'të vjen turp,
kështu më thua?!
Rrahu krahët
u largua...

Nën dritare
shkon një viç.
- Viç, o viç,
mu, mu, mu,
eja lozim
tok këtu!

- Kec i vogël,
ti e di,
s'mund të lozim
ne tani.
Ule kokën
lexo, shkruaj,
bëj mësimet,
pastaj luajm'!

- O viçok,
të kam shok,
a m'i bën
detyrat sot?

Edhe viçi
u zemërua:
- S'të vjen turp
kështu ç'më thua?!
Nxitoi këmbët,
u largua...

Në oborr,
mbi një shul,
qenka ulur
gjyshja plakë.

I thotë keci
pulës-gjyshe:
- Fute këmbën
pak në shishe...

- Ka, ka, ka,
ç'janë këto?!
Shumë poshtë
veten e ule,
pranon shkrim
me këmbë pule?

- Nëse s'shkruan
dot me këmbë
zgjate sqepin,
shkul një pendë;
shkul një pendë
nga më të mirat
edhe shpejt
më bëj detyrat!

Gjyshe pula
u zemërua:
- S'të vjen turp,
kështu ç'më thua?!
Kot po lutesh,
o kecush,
detyrat
s'ti bën askush!...

Erdhi mbrëmja
pa kuptuar,
keci ngeli
pa mësuar.

Pasi priti,
priti shumë,
hëngri darkën,
ra në gjumë.

- Tak - tak - tak!-
dera troket,
mendon keci:
"Kush të jetë?!"
- Jam postieri,
hape shpejt,
sjell një zarf
me tri vula:
"Harabeli",
"Viçi", "Pula".

Keci zarfin
shpejt e mori,
mua letrën
nuk ma nxori.
Unë prita
u vonova,
po dot letrën
s'e lexova.
Ende nuk e kam mësuar...

...
Kush e di...
Çfarë i kanë shkruar?!

- poezi nga Tasim Gjokutaj


Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  5 / Votuan:  8