A B C D E F G H I J K L M N O P Q R S T U V W X Y Z #

Xhepat E Altinit

Ky Altini ka një ves,
i përdor xhepat si thes...

Ja po zbrazet xhepi i parë,

bobo sytë ç'na kanë parë:
tri kokrra lajthi,
një thëngjill i zi;
katër bobogjyle,
dy gozhdë e një... zile,
dhe një goxha tel,
varet si çengel.

Ja po hapet xhepi i dytë,
bobo, sytë ç'na shikojnë sytë:
një pingpong i çarë,
një kumbull e tharë;
pulla kartoline,
tapë peniciline;
një shkumës i madh,
ca thërrime djathë
(paska edhe më,
po vjersha s'i nxë...)

I thotë babi me qortim
- Xhepat s'janë magazinë
po t'i mbash kështu,
miu vjen këtu,
në xhep do të hyjë,
do hajë e do pijë,
do bëjë fole
pastaj... lum si ne!

1995

- poezi nga Tasim Gjokutaj


Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  5 / Votuan:  2