A B C D E F G H I J K L M N O P Q R S T U V W X Y Z #

Dy Çerçizët

(Kur po xhirohej në Gjirokastër filmi për Çerçiz Topullin.)

Andi shkon në Dunavat:
- Eja, gjyshe, që tani,
Çerçiz Topulli u... ngjall,
e pashë vetë me këta sy!

I thotë gjyshja qetë - qetë:
- Ti po bën shaka, mor nip!
Por kur zbritën te Kubeja*.
nga habia fshinë sytë.

Çerçiz Topulli vërtet
mbi kalldrëme bënte tutje,
prapa tij tre - katër vetë
me ca kamera mbi supe.

E pyeti gjyshja me ngut:
- Cili je ti, more bir?
- Është artist, - i tha dikush,
- do të nxjerrë Çeçon në film!

Priti gjyshja atë ditë
te Kubeja, në Pazar,
sa takoi Çeçon - artist
dhe iu duk sikur u çmall...

Çdo natë në "Shesh të Çerçizit"
vijnë aktorët pas xhirimit,
Çeçoja nga monumenti
po shikon Çeçon e filmit.

Ja dhe Çerçizi - aktor
sytë mbi Çeçon na i mba.
Edhe duket sikur thotë:
"Të kam borxhe të mëdha!"

Dhjetë ushtarë festekuq,
që të dhjetë "ushtarë turq",
te rrapi ulen e rrinë,
sytë e Çeços suferinë.

S'i rrihet mbi piedestal,
nga bronzi kërkon të dalë,
me kobure t'i qëllojë
që të kuq t'i bëjë me bojë!

O Çeço trimi me nure,
mbirë dora mbi kobure,
mbirë koburja te dora,
shikimi nga Mashkullora.

1983

- poezi nga Tasim Gjokutaj


Nuk ka akoma asnjë votë